Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një konferencë për medie në Pejë, foli edhe për “Festën e Abetares” në një shkollë të kësaj komune, ku u raportua që janë diskriminuar fëmijët e komuniteteve.
Osmani tha se është informuar nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri se nuk ka pasur diskriminim të atyre fëmijëve, por siç tha ajo, pavarësisht kësaj, janë të përkushtuar që askund në Kosovë të mos ketë diskriminime të tilla.
“U njoftova nga kryetari Muhaxheri që e vërteta nuk ka qenë si është paraqitur. Jemi të përkushtuar që diskriminimi të mos gjejë vend në asnjë cep të Republikës së Kosovës, që të gjithë qytetarët, në veçanti fëmijët, të ndihen të përfshirë, të barabartë dhe të ndihen të mbrojtur si dhe të mund të zhvillojnë potencialin e tyre të jashtëzakonshëm.. Pavarësisht, etnisë, racës, t’u jepet shansi të shkëlqejnë në fusha të ndryshme.. Edhe pse më informoi kryetari që s’ka qenë ashtu, është detyrë morale, njerëzore t’i ndalojmë ato e t’i luftojmë sepse s’mund të mohojmë që ndodhin diskriminime, sidomos për komunitetin rom, ashakli e egjiptian”, tha Osmani në një konferencë për medie në Pejë.
Ajo foli edhe për një postim të shefit të zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili shkroi se incidentet ndëretnike janë intensifikuar në Kosovë.
“Ashtu siç kam raportuar me informata të sakta në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në tetor të vitit të kaluari, numri i incidenteve ndëretnike ka rënë në 0.03 për qind në Kosovë, pas kësaj deklarate të zotit Szunyog, unë kam kontaktuar me autoritetet e sigurisë dhe në fakt kanë konfirmuar që raste të tilla nuk janë rritur, ka pasur një rast në atë rajon, Vushtrri, në vitin 2020, por s’kishte as ai të bënte me incident ndëretnik pasi nuk ka qenë i tillë”, tha Osmani.
Ajo, shtoi se do të bëjnë të pamundurën që niveli i incidenteve të tilla të bie në zero, nga 0.03 sa është tani.
Por ne duhet të bëjmë çmos që niveli i incidenteve ndëretnike të bie në zero nga 0.03, pra të eliminohen në tërësi”.
Sipas saj, askush nuk duhet të ngutet të bëjë kualifikime të cilat s’janë të konfirmuara nga institucionet e sigurisë, pasi e kjo, sipas saj, e dëmton imazhin e Kosovës, por edhe përpjekjet që të gjithë qytetarët të ndihen të sigurt.