Presidentja Vjosa Osmani është takuar me mbështetësin e madh të Kosovës, John Kerry, i Dërguar i Posaçëm Presidencial i Shteteve të Bashkuara për çështje klimatike dhe ish-Sekretar i Shtetit.
Në takim mori pjesë edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Osmani falënderoi Kerryn për angazhimin dhe përkushtimin e tij personal për të ndihmuar Kosovën të ecë përpara.
Të dy diskutuan edhe për zhvillimet në Evropë dhe rajon si rezultat i agresionit rus në Ukrainë.
Presidentja Osmani theksoi rrezikun nga destabilizimi i rajonit nga satelitët e Rusisë dhe nevojën për anëtarësimin e Kosovës në NATO si garancia më e mirë për paqe dhe stabilitet në rajon.
E para e shtetit ka vlerësuar përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve për fuqizimin e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke potencuar se tani është edhe më e rëndësishme që të rritet përkrahja në procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.