Ish-Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka folur për marrëveshjen e Ministrisë së Infrastrukturës, të cilën tash e udhëheq Liburn Aliu, me Kolegjin UBT, kolegj nga i cili ministri i Aliu merr pagë.
Lekaj, në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se vendimi i Aliut për marrëveshje mes Ministrisë dhe UBT-s, është veprim i dëmshëm dhe jo i drejtë, shkruan Sot News.
Në përgjigjen e tij, Lekaj ka numëruar katër arsye se pse ky veprim është i dëmshëm, ku ka thënë se, sipas tij, ky veprim është konflikt interesi dhe se kjo marrëveshje tregon se prioritet i ministrit Aliu është interesi personal dhe klanor.
“Janë disa arsye pse ky veprim është jo i drejtë dhe i dëmshëm. E para, nëse nisemi nga Parimet dhe Qasja e Kritikat të cilat i ka përdorur Vetëvendosja sa ishte në opozitë, përballë veprimeve të ndryshme nga personat dhe partitë që kanë qenë në pushtet, atëherë kjo thjesht e shqip është Konflikt Interesi. E dyta, Ministri Aliu duhet të ketë prioritet ministrinë e Infrastrukturës, makro projektetet shtetërore e mini projektet lokale të cilët fatkeqësisht janë bllokuar tani e sa kohë dhe qytetarët e kompanitë kosovare po i vuajnë pasojat, e jo prioritet të ketë interesin personal e klanor”, ka thënë Lekaj.
Tutje, ai ka shtuar se marrëveshjet e tilla duhet së pari të bëhen me universitetet publike e pastaj të shihen mundësitë me kolegjet private, dhe se ky veprimi Liburn Aliut, tregon se qeveria Kurti është më e dobëta që nga pas lufta.
“E treta, marrëveshje të tilla fillimisht është dashur të bëhen me universitetet publike të Kosovës e pastaj të shihen mundësit me kolegjet private. E katërta, ky veprim po e dëshmon qeverinë Kurti si më të dobëtën qysh nga paslufta, me shumë demagogji, me shumë skandale, dhe pa strategji, pa vizion e pa mirëqeverisje në të mirë të qytetarëve të vendit!”, ka përfunduar Lekaj.
Duhet kujtuar se para pak ditësh, Liburn Aliu, Ministër i Infrastrukturës, ka lidhur marrëveshje më Kolegjin UBT, kolegj në të cilin është i punësuar si profesor.
Përveç tij, në këtë Kolegj, është e punësuar edhe shefja e kabinetit të kësaj ministrie, Rineta Jashari, e cila ka qenë pjesë e ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes.