Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon kritikat ndaj Qeverisë së Kosovës. Sipas partisë më të madhe opozitare, ekzekutivi s’ka vizion dhe ide si t’iu dalë në ndihmë qytetarëve.
Vendimin e fundit të qeverisë për shtesat prej 100 euro i quajnë “vitra”, pandaj insistojnë në propozimin e tyre që qeveria t’iu mundësojë qytetarëve tërheqjen e një shume të caktuar nga Trustit.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, thotë se do të insistojnë edhe përmes Kuvendit që të miratohet projektligji që mundëson tërheqjen e Trust-it.
“Unë e shoh më shumë si ‘vitra’ të kryeministrit Kurti, shkon në harmonizim me mungesën e vizionit. Ne kemi propozuar, kur po shohim se qeveria s’ka ide si me dalë nga kjo situatë, që qytetarëve tanë t’iu mundësohet tërheqja e mjeteve të Trustit në një shumë të caktuar. Mendoj se për këtë situatë, të dalim nga kriza, ka qenë ide e mirë dhe duhet të përkrahet edhe nga mazhoranca”, tha ai për Kosovapress.
Deputeti opozitar kërkon gjithashtu nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë të zbatojë vendimin e Gjykatës Themelore që vendosi të pezullojë tarifat e reja të energjisë dhe të kompensohen qytetarët për tarifat që kanë paguar nga data 9 shkurt me çmim më të lartë.
“Është fitore e qytetarëve të Republikës së Kosovës, PDK e ka kryer punën e vet. Ne këtë kauzë e kemi ngritur shumë herët, kryetari Memli Krasniqi ka paralajmëruar që në muajt e parë të vjeshtës që qeveria të marrë një mobilizim për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe e kemi parë se këta nuk kanë ditur të menaxhojnë këtë situatë. Përveç kësaj ka edhe keqpërdorim të menaxhimit të energjisë, andaj kemi kërkuar një komision hetimor që do të ndodh shpejt. Sa i përket tarifave, kërkoj nga ZRRE-ja të respektojë këtë vendim dhe t’iu kthejë mjetet qytetarëve atë çka ju takojnë”.
Beqa u shpreh kritik edhe për politikën e jashtme të Qeverisë së Kosovës.
“Me keqardhje e them se nuk kemi politikë të jashtme. Edhe sot nuk ka qeveria një agjendë për politikë të jashtme. Kemi pa që edhe ministrja Gërvalla gjatë debatit i merrte si suksese thirrjet telefonike që i kanë pasur. Kemi pa se askush si ka prit, ende s’kanë pasur niveleve të larta në ShBA, kemi pa disa takime bilaterale rajonale. Më shumë e kanë mbushur atë raportimin e punës së Ministrisë së Jashtme me takimet që i kanë bërë mes veti, se me ndonjë sukses që i kanë sjellë Kosovës. Në këta 12 muaj nuk kemi pa asnjë njohje dhe asnjë aplikim dhe tentim për aplikim në organizata ndërkombëtare”.