Lajme

PDK: Kriza ekonomike po thellohet, qeveria po struket

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
12:58 / 5 June 2022

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën kanë folur për të dhënat e fundit në raport me importin.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci u shprej se rritja e çmimeve po përkeqëson gjendjen e qytetarëve.

“Do të flasim për të dhënat e fundit në raport me importin, çmimet e importit dhe deficitin tregtar të cilat në vendin tonë fatkeqësisht po shënojnë rekorde negative dhe po e përkeqësojnë edhe më shumë gjendje edhe ashtu të rënduar të familjeve kosovare”, tha ai.

Stavileci u shpreh se kriza ekonomike po thellohet, ndërkaq qeveria po struket duke e vëzhguar atë nga jashtë, përcjell Klankosova.tv.

“Kriza ekonomike po thellohet, qytetarët dhe familjet kosovare po varfërohen, shporta e prodhimeve të konsumit gjithashtu po pakësohet, e qeveria po vazhdon të struket e ta vëzhgojë krizën nga jashtë, pa ndërmarrë masa konkrete ekonomike dhe fiskale me të cilat do ta zbusnin këtë rëndim të jetesës së qytetarëve dhe të familjeve kosovare”, u shpreh Stavileci.

Tutje, ai tha se të gjitha çmimet po vazhdojnë të rriten, ndërsa pagat nuk kanë lëvizur.

“Të gjitha çmimet po vazhdojnë të rriten, e pagat nuk kanë lëvizur. Jeta çdo ditë e më shumë po shtrenjtohet. Në vend të dialogut social Qeveria ka imponuar injorimin institucional dhe kjo ka sjellë sot më shumë se kurrë pakënaqësinë më të madhe të qytetarëve dhe sindikatave të cilat po protestojnë vazhdimisht në kërkim të të drejtave elementare dhe të zgjidhjeve për t’i tejkaluar gjithë këto kriza. Derisa ne po flasim në vendin tonë çdo ditë po shohim raporte e vlerësime të reja në lidhje me ekonominë, të cilat do të duhej ta zgjonin nga gjumi pushtetin”, tha ai.