Lajme

Peci, edhe këtë të diel e kaloi mes bujqve

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
6:48 / 17 April 2022

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, edhe këtë të diel e ka kaluar mes bujqve të vendit.

Ditën e ka nisur në Koshtovë të Vllahisë, ku sipas tij, bujku Nexhat Brahimi ka vendosur që tokën e lënë djerrinë për 30 vjet, ta punoj sivjet.

“Mirëmëngjes nga Koshtova e Vllahisë, aty ku në fund të rekës së Bistricës, Nexhat Brahimi ka vendosur që ta punojë tokën e mbetur djerrinë pas 30 viteve. Rritja e përkrahjes këtë vit dhe thirrja për ta punuar çdo pëllëmbë të Kosovës, po jep frytet e veta. Nexhati nga Komuna e Leposaviqit kultivon 2 hektarë misër dhe 2 hektarë kungull”, ka shkruar Peci në Facebook.

Pak orë më pas, Peci ka publikuar disa fotografi nga Bistrica, ku po i kënaqej bukurive natyrore të kësaj pjese të Kosovës.

Po ashtu, ministri i Bujqësisë ka vizituar edhe fshatrat Cerajë, Zhazhë dhe Boletin, që gjenden në veri të vendit, ku ka takuar bujq të cilët kultivojnë perime të ndryshme.

“Veprimtaria e tyre bujqësore e blegtorale dhe aktivitetet e tyre të përditshme kanë ushqyer qëndresën dhe idealet më të larta, të destinuara për qëllime madhore e të përcjellura me fanatizëm brez pas brezi, duke ruajtur njëherit trashëgiminë kulturore, traditën dhe atdhe-dashurinë. Përgjatë kësaj vizite u shoqërova nga Driton Hetemi, vëllai i dëshmores së kombit Fatime Hetemi”, ka shkruar Peci.

Një ditë të ngjeshur mes bujqve, e kishte edhe të shtunën e kaluar ministri. Ai vizitoi disa bujq në komunën e Vushtrrisë, ku pati rastin edhe t’i jipte traktorit.