Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim senatorët amerikanë të cilët po vizitojnë Kosovën.
Senatorët amerikanë: Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis kanë arritur mëngjesin e sotëm në Prishtinë, ndërsa janë pritur si fillim nga ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.
Pas takimit me Osmanin, senatorët amerikanë do të priten në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti.
Pas ardhjes së senatorëve amerikanë në Kosovë, ambasadori Hovenier tha se është i lumtur të mirëpres sot në Kosovë, senatorët Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis, të gjithë mbështetës të vjetër për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin euroatlantik të Kosovës.
“Me kënaqësi i mirëprita sot në Kosovë senatorët Shaheen, Murphy dhe Tillis, të gjithë mbështetës të vjetër për pavarësinë, sovranitetin dhe integrimin euroatlantik të Kosovës. Mezi presim angazhime thelbësore që tregojnë liderët kosovarë, të rinjtë dhe mikpritjen e Kosovës duke strehuar afganët”, ka shkruar ambasadori Hovenier.
Duhet përkujtuar që vizita e senatorëve amerikanë në Kosovë, e në rajon në përgjithësi po bëhet në një periudhë ku pati ndryshime të shumta politike.
Senatori, Chris Murphy nëpërmjet një shkrimi të tij në Twitter më 19 prill ka thënë se kanë nisur këto vizita për të forcuar lidhjet e ShBA-së me Ballkanin përballë përpjekjeve ruse për të minuar paqen.
“Derisa Rusia vazhdon të humbasë në Ukrainë, ata do të përpiqen të krijojnë probleme në rajonet e brishta të afërta. Unë gjatë kësaj jave jam në Serbi, Kosovë dhe Bosnje me senatoren Shaeen dhe senatorin Thom Tills për të forcuar lidhjet e SHBA-së me Ballkanin përballë përpjekjeve të huaja për ta minuar paqen”, ka shkruar ai.