Ditën e martë u organizua Festa e Abetares për fëmijët në Karagaç të Pejës, por nuk pati festë për të gjithë. Disa fëmijë të komuniteteve të tjera ndanë nga moshatarët e tyre.
Derisa shokët e tyre të klasës festonin në qendër të sallës, dhjetëra nxënës të komuniteteve të tjera qëndruan në karriget e shikuesve, anipse dëshironin që të festonin bashkë me ta.
“Po kena pas qef, po qitu tha mësuesja, qitu u ula”, “Mësuesja na tha (uluni këtu)”, thanë dy nga fëmijët e komuniteteve të tjera, të cilët po e shijonin nga larg Festën e Abetares.
Ndërsa, mësuesja e tyre Xhylfidane Morina deklaroi se kjo nuk ka të bëjë me diskriminim dhe se ishte veç një rastësi. Po ashtu e njëjta tha se kjo ishte dhe dëshirë e nxënësve.
Ky rast bëri që të ketë reagime të shumta se një racizëm i tillë nuk guxon të ndodhë nëpër shkollat e Kosovës.
I pari që reagoi për këtë rast ishte Ministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se ky është një gjest shumë i rëndë.