Bota

Rusia paralajmëron Bosnjën: Mund ta pësoni si Ukraina

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
11:48 / 18 March 2022

Ambasadori i Rusisë në Bosnjë-Hercegovinë, Igor Kalbukhov, paralajmëroi se Moska e ka një përgjigje në rast se shteti ballkanik vendos të anëtarësohet në NATO.

Në një intervistë në televizionin “FTV”, Kalbukhov është shprehur: “Nëse Bosnjë-Hercegovina vendos të bëhet anëtar i diçkaje, ajo është çështje e brendshme. Tjetër gjë është reagimi ynë. Në rastin e Ukrainës, treguam se çfarë ndodh. Nëse ka kërcënime, ne reagojmë”.

Sipas ambasadorit rus, është Perëndimi ai që përbën kërcënim për Bosnjën: “Nuk kemi asnjë plan. Nuk fusim hundët në çështjet e brendshme të vendeve të tjera. Ne thjesht do të përgjigjemi duke analizuar situatën strategjike dhe gjeopolitike”.

Ndërkohë, nuk vonoi edhe përgjigjja ndaj deklaratave të ambasadorit rus. Presidenti i turnit, kroati Zeljko Komsic, dënoi “me shumë forcë” fjalët e diplomatit rus.

“Mesazhi i ambasadorit rus mbi reagimin e Rusisë, duke na treguar shembullin e Ukrainës, është kërcënim i pastër dhe diçka e papranueshme për Bosnjë-Hercegovinën. Fjalët e tij nuk janë kërcënim vetëm për ne, por për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, tha Komsic.

Edhe ambasada e Bashkimit Europian në Bosnjë kritikoi fjalët e diplomatit rus, duke i quajtur “të rrezikshme, të papërgjegjshme dhe të papranueshme”, duke shtuar se “asnjë vend i tretë nuk ka zë në marrëveshjet e sigurisë mes NATO-s dhe shteteve sovrane”./A2CNN