Ish-kryeministri e ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha është deklaruar rreth takimit të nesërm në Ohër.
Berisha, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se i pari i serbëve, Aleksandar Vuçiq nuk do të nënshkruajë asgjë, përcjell lajmi.net.
Sipas tij, ai do të përdorë si pretekst Asociacionin, ndërsa ka urdhër nga Kremlini që të mos nënshkruajë asgjë.
Postimi i plotë:
Çfarë pritet nesër në Ohër!
Të dashur miq, nesër në Ohër zhvillohet një takim shumë i rëndësishëm për Kosovën, Serbinë dhe rajonin, midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe përfaqësuesve të lartë të BE-së dhe SHBA-së.
Në këtë takim parashikohet të firmoset marrëveshja franko-gjermane. Kryeministri i Kosovës deklaroi në Bruksel se ai ishte i gatshëm të firmoste marrëveshjen kurse presidenti i Serbisë, Vuçiç u shpreh se ai e pranon marrëveshjen, por nuk e firmos. Si pretekst ai nxori Asociacioni Etnonacionalist suprakushtetues të cilin ai e di mirë se nuk mund të pranohet.
Në të vërtetë ai po përdor si pretekst Asociacionin, por arsye kryesore që ai ndofta nesër nuk firmos është urdhri nga Kremlini që ai të mos pranojë marrëveshjen franko-gjermane. Kjo sepse kjo marrëveshje kërkon harmonizimin e politikës së jashtme të të dy vendeve me politikën e jashtme të BE-së, ç’ka do të thotë se Serbia duhet të zbatojë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.
Por nesër është një rast shumë i veçantë që Serbia të largohet nga ombrella ruse e cila i ka sjellë vetëm disfata dhe të rreshtohet në anën e duhur dhe të drejtë të historisë. Duke patur parasysh se çfarë përfaqëson Aleksandër Vuçiç dhe e shkuara e tij vështirë se ai do arrijë të marrë nesër vendimin e duhur.
Megjithatë le t’i urojmë suksese takimit të Ohrit.