Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka humbur muaj të tërë të këtij viti duke bërë politika që janë në kundërshtim me veprimet e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës.
Herë ka krijuar rritim tek kosovarët, dhe herë të tjera ka fituar simpatinë e tyre.
Dy veprime të tij janë më të bujshmet këtë vit: Ballkani i Hapur dhe “Mbrojtja e vlerave të UÇK-së”.
Për shkak të shtyrjes përpara të Ballkanit të Hapur kosovarët e kanë pagëzuar me nofkën “Vëllai i Vuçiqit”.
Këtë duket se e ka përjetuar rënde Rama. E ka përmendur edhe në një konference shtypi.
“Për të ardhur te proserbizmi im, unë jam më shumë se kaq. Unë jam vëllai i Vuçiçit, ju e dini këtë dhe e keni bërë status timin që unë jam vëllai i tij, por përtej kësaj dua të them që këndvështrimi im është se ne nuk na duhet një Serbi e radikalizuar, aq më tepër në kontekstin sot. Ne na duhet të bëjmë çmos që të rrisim të gjitha mundësitë që e integrojnë këtë pjesë të Evropës, në një nivel tjetër ndërveprimi ekonomik dhe shoqëror”, pati thënë Rama ndër të tjera, shkuan Gazeta Insajderi.
Por, Rama tash ka ndryshuar takt, dhe duket se po punon për t’ia hequr vetes këtë nofkë. Ka rënë në një ide që fiton zemrat e kosovarëve, dhe në të njëjtën kohë godet Albin Kurtin, pushteti i të cilit është emëruar nga kritikët si “Qeveri anti-UÇK”.
Open Balkan”, Edi Rama dhe Kosova
Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia takimin e fundit të “Ballkanit të Hapur” e patën më 7 dhe 8 qershor në Ohër, ku nënshkruan katër marrëveshje dhe memorandume.
Liderë e këtyre shteteve ishin tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, ide kjo që e kishin konceptuar në vitin 2019.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e kishin nisur kërë proces me qëllim të, siç është thënë, krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.
Ndërkohë që nga fillimi deri tash kundërshtues i fuqishëm i kësaj ide ka qenë kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Këtë ai e bëri të ditur edhe në qershor, kur u ftua për takimin e radhës nga kryeministri i tanishëm i Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski.
Kurti e kishte njofuar homologun e tij se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.
Kurti ka thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.
Ndërkohë, Rama është përkrahës i madh i këtij procesi, gjë për të cilën shpesh është “masakruar” në rrjet nga kosovarët.
Pavarësisht se i ka bërë për komentet, ai nuk është ndalur së ftuari Kosovën që të pjesë e “Open Balkan”, njëjtë sië bëri edhe herën e fundit në Maqedoni.
“Besoj fort se sa më shumë ne të afrohemi aq më shumë shanse ka për ti’ zgjidhur edhe konfliktet, aq më shumë shanse ka që të bëhet paqe përfundimtare në mes të Serbisë dhe Kosovës. Një temë në të cilën unë nuk kam asnjë dakordësi me presidentin e Serbisë por këtu zgjidhja është shumë e thjeshtë, ose kjo mosdakordësi të kthehet në një konflikt permanent me të gjitha ato boshllëqe që pastaj të mbeten në ekonominë tonë, në sigurinë tonë e kështu me radhë ose e kundërta duhet të bëhet, të afrohemi sa më shumë që të kuptojmë sa më shumë njëri-tjetrin dhe që në fund vet njerëzit të jenë të vetëdijshëm që e ardhshmja është shumë me rëndësishme sesa e shkuara”, pati thënë Rama, shkruan Gazeta Insajderi.
Rama ka thënë se ndodhen në nismën “Ballkani i Hapur” sepse duan të shkojnë drejt së ardhmes, por pa i mbyllur sytë ndaj problemeve që sipas tij mund të zgjidhen vetëm duke u afruar.
“Sot jemi këtu pikërisht sepse duam të vazhdojmë të shkojmë drejt së ardhmes pa i mbyllur sytë ndaj problemeve ende të pazgjidhura për të bindur se problemet e pazgjidhura mund të zgjidhen vetëm nëse ne afrohemi”.shkruan Insajderi
“Po i kthehem prapë ambasadorit Chris Hill i cili më tha diçka që nuk e kisha menduar asnjëherë, shumë thjeshtë, Shtetet e Bashkuara kanë hedhur dy bomba atomike në Japoni dhe një nga aleancat strategjike më të forta dhe nga miqësitë më të ngushta sot, dhe jo sot por prej shumë vitesh, në arenën ndërkombëtare është aleanca dhe miqësia e Shteteve të Bashkuara me Japoninë, mbas dy bombave atomike dhe urdhëroni se ku është sot Japonia dhe nuk do të ishte sot aty nëse do të vazhdonte sot e gjithë ditën të qëndronte me kurriz nga Shtetet e Bashkuara duke kërkuar më parë që Shtetet e Bashkuara të uleshin në gjunjë për bombat atomike, të gjitha gjërat kanë radhët e tyre”, pati thënë kryeministri shqiptar.
Rezoluta e Edi Ramës për Dick Martyn, Gjykata Speciale, dhe Hashim Thaçi
11 vjet pas hartimit të raportit të Dick Marty me pretendimet se UÇK ka kryer krime kundër njerëzimit, Partia Socialiste ka depozituar një rezolutë kundër këtij raporti.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Edi Rama, i cili ka thënë se Partia Socialiste me firmën e 11 deputetëve ka depozituar një Kuvendin e Shqipërisë një projektrezolutë kundër raportit të Dick Martyt mbi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pritet të shihet nëse e njëjta do të miratohet, dhe më pas t’i dorëzohet në shtator Këshillit të Evropës të cilit i kërkohet që ta rishikojë rezolutën e vitit 2011 prej së cilës u inicua gjykimi për ish-krerët e UÇK-së.
E thënë më thjesht, kryeministri shqiptar kërkon ndërprerje të gjykimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimi e të tjerët që janë në Hagë.
Ndonëse ka pak gjasa që Gjykata Speciale të ndalë së funksionuari pas miratimit të kësaj projekt-rezolute, lëvizja e Ramës ngjan të jetë më shumë ide me të cilën i fiton zemrat e kosovarëve, dhe në të njëjtën kohë godet Albin Kurtin, pushteti i të cilit është emëruar nga kritikët si “Qeveri anti-UÇK”.
Dhe, kështu ai në një form ose tjetër “pastron” figurën e tij nga qasja e “vëllait të Vuçiqit”, duke u shfaqur tash si një atdhetar i paepur dhe baba i kombit që merr përsipër të çlirojë nga akuzat ish-krerët e UÇK. shkruan insajderi