Niman Demaj 17.05.1978-18.07.1998
Dëshmori Niman Demaj ka lindur më 17 maj të vitit 1978 në fshatin Vrellë. I ati, Musa, e kishte lënë të vogël, vetëm dy vjeç dhe ai nuk kishte arritur ta ruante përfytyrimin për pamjen e tij. Në mungesë të të atit, tërë barra për rritjen dhe edukimin e fëmijëve kishte rënë mbi të ëmën, Razën. Ndonëse më i përkdheluri i shtëpisë, Nimani nuk mund të mos e përjetonte mungesën e të atit që shpesh ia ngrinte gëzimet dhe buzëqeshjen fëmijërore.Në fshatin e lindjes, Nimani e kreu shkollën fillore. Mirëpo, në rrethanat dhe në kushtet ekonomike në të cilat ndodhej familja e tij, nuk kishte mundësi të mendonte ta vijonte shkollimin në shkollën e mesme. Motivin për shkollim e bënte akoma më të largët edhe gjendja e krijuar në arsimin e Kosovës gjatë viteve ’90, si pasojë e politikës serbe. Prandaj, pas shkollimit fillor, megjithëse në moshë të njomë, Nimani u mor me punë të shtepisë. I rrahur nga stuhitë e jetës së rëndë, jo vetëm ekonomike, por edhe të asaj nën pushtimin serb.Me këtë pjekuri mendimi e gjykimi ai i përjetoi dhe i kundroi edhe luftimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër aparatit shtetëror të Serbisë, kur ato filluan në zonën e Drenicës.Duke parë se lufta çlirimtare po përhapej e po shtrihej gjithnjë e më shumë, edhe Nimani kishte kuptuar se në frontin e kësaj lufte duhet ta ketë vendin secili shqiptar që ka zemër të luftojë për lirinë e vet e të Kosovës, prandaj vendosë të angazhohet në radhën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Meqenëse tashmë UÇK-ja ishte organizuar dhe forcuar mjaft edhe në zonën e Dukagjinit, rasti me i mirë për t’iu bashkuar asaj ishte ai përmes Gllogjanit ku ndodhej shtabi kryesor i zonës.Një ditë të fillimqershorit të vitit 1998, Nimani kishte kërkuar nga e ëma që t’ia përgatiste maicën mëngshkurtër sepse do ta veshte e do të dilte. Ajo ia kishte pastruar dhe e kishte vënë në tel të thahej,pastaj ai ia kishte kërkuar asaj edhe një sasi të hollash, të cilat ato ditë i kishte dërguar nga mërgimi, i vëllai, Milaimi. Së ëmës në atë moment nuk i kishte vajtur mendja se për ç’arsye i kishte kërkuar ai ato të holla dhe për se i donte. Këtë arsye e kupton vetëm pasi Nimani largohet nga shtëpia pa dhënë ndonjë llogari dhe pa lënë ndonjë porosi. Në shtëpi presin të kthehet, një natë, dy, tri net…, por ai kishte marrë rrugën për në Gllogjan, bashkë me disa të rinj të fshatit dhe nuk ishte nisur për t’u kthyer pa kryer detyrat me të cilat do ta ngarkonte UÇK-ja.Rekrutimi i këtyre të rinjve u bë përmes shtabit të Gllogjanit. Përmes këtij shtabi organizohej edhe kalimi i kufirit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë me qëllim të bartjes së armatimit për nevojat e formacioneve të UÇK-së.Rruga e kthimit për në Kosovë nis në mesin e korrikut të vitit 1998. Arrijnë deri te Rrasa e Zogut, kur në orët e mëngjesit të 18 korrikut, fillon zjarri i pritave serbe në Padesh. Flakët e këtij zjarri përpijnë gurë e shkrepa dhe bashkë me ta edhe jetën e dëshmorit Niman Demaj.Përkrah tij bien edhe luftëtarë të tjerë. Emri i tij është gdhendur në monumentin e përbashkët të dëshmorëve të Brigadës 133, në fshatin Vrellë.