Deputetja Duda Balje abstenoi sot për Tërheqjen nga Trusti në Komisionin Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Nëse për gjithçka tjetër jo, ky veprim i Baljes do të mbahet mend për kohën e shkurtër brenda së cilës Duda Balje ndërroi qëndrim për këtë çështje, shkruan lajmi.net.
Më 11 maj, Balje thoshte për media se do të votonte pro këtij propozimi, ngase siç krekosej ajo në deklaratën e saj, “është në anën e qytetarëve”.
“Unë personalisht do ta përkrahi dhe dua t’i jap qytetarëve të Kosovës vet me vendos për vete nëse donë me marr 30% po nëse jo nuk është e obligueshme. Edhe kur jam duke ecur në rrugë njerëzit po më ndalin dhe më lusin të votojnë për Trustin që të dalim nga kriza ekonomike dhe unë nuk kam biseduar me grupin, por unë personalisht do ta përkrahi dhe do të dalë në anën e qytetarëve”, u shpreh Balje.
Kështu nuk veproi Balje sot në Komisionin Parlamentar. Ajo abstenoi në lidhje me këtë propozim, duke pamundësuar kështu kalimin e tij në Komisionin për Buxhet dhe Financa, pasi që votat ishin 5 për, 5 kundër, dhe një abstenim.
E nuk dihet nëse në ndryshimin e qëndrimit të Baljes ka ndikuar dikush nga Qeveria Kurti, pasi që vet kjo e fundit kishte dalë ashpër kundër tërheqjes nga Trusti Pensional.