Nënkryetari i LSI Petrit Vasili deklaroi në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv se grupi i vogël i Bashës në PD me në krye Enkelejd Alibeajn, sponsorizohen nga kryeministri Edi Rama.
Vasili theksoi se mazhoranca nuk mund të vendosë kë të ketë përballë, ndërsa shtoi se ata me të cilët po bashkëpunon, duke iu referuar Alibeajt dhe atyre që i shkojnë nga pas, s’kanë asnjë tagër.
“S’ka asnjë surprizë, reagimi i pushtetit është i tillë dhe sponsorizimi i një grupi në PD qesharak, është i tillë sepse, kemi një mazhorancë në pozicionin më qesharak, që mban një komunikim parlamentar me disa njerëz që s’kanë asnjë tagër.
Një mazhorancë as nuk vendos kë ka përballë, bashkëpunon apo jo për aq sa Kushtetuta imponon, po nuk e zgjedh.
Ekziston një sponsorizim idiot pa asnjë vlerë, ku nja 16 veta atje, jeni ju ata që bisedojmë, ndërkohë që partia që ka tagrin, në mënyrën më plebishitare, i tërë fokusi i partisë u ngrit në këmbë, e ka dhënë përgjigjen.”-tha Vasili.