Shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi vlerëson se pushtimi rus mbi Ukrainën ka ndikim të thellë në ndryshimet gjeopolitike.
Surroi, në “Rubikon” në Klan Kosova, tha se këto ndryshime janë të afërta me rënien e Murit të Berlinit, veçse shkojnë në drejtime të kundërta, njofton Klankosova.tv.
“Jo vetëm në Kosovë, por në tërë botën, është një proces i thellë, saqë do të duhet kohë për rikalibrimin e vlerësimeve, politikave, sepse kemi të bëjmë me një ndryshim të madh, një ndryshim i cili është i afërt me atë të rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, natyrisht në drejtim të kundërt. Asaj kohe ishte në drejtim të shembjes së mureve, këtë herë është vendosja e një muri në mes Euroazisë dhe botës transatlantike dhe ka ndikim të jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet, siç e kemi parë që nga xhepi ynë, që nga momenti kur shkojmë për të blerë vaj, deri te çështjet që kanë të bëjnë me ndikimet gjeopolitike,” tha Surroi.
Surroi tutje argumentoi përse lufta në Ukrainë po e ndryshon gjeopolitikën e tërë globit, duke marrë analogjinë e futbollit dhe ripozicionimin e lojtarëve.
“Kemi të bëjmë fillimisht me një kohezion të ri të NATO-s, pra edhe me anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës, pra NATO-ja tani ka sërish, si në vitin 1999 në rastin e Kosovës, ridefinimin e misionit të vet, i cili është ta ruajë botën perëndimore prej ndikimit të tillë të Rusisë. Së dyti, kemi të bëjmë me një kohezion të ri të Bashkimit Evropian, pasi Bashkimi Evropian njëherë për njëherë merr një peshë të madhe në fushën e politikës dhe të sigurisë. Së treti, kemi të bëjmë me ripozicionimin gjeografik ose gjeopolitik të Ballkanit Perëndimor, sepse Ballkani Perëndimor disi ishte një lloj zorrë qorre në zhvillimet e botës transatlantike”.
“Ballkani Perëndimor tash është në zemër të Evropës, sepse spostimi i kufijve lindorë tashmë shihet qartazi do të jenë kufijtë në mes Ukrainës dhe Rusisë dhe të gjitha këto i japin një peshë të veçantë gjeopolitikës, që merr rolin e vet primar përtej çështjeve tjera,” përfundoi Surroi.