Ish-presidentja, Vjosa Osmani ka thënë se ka dëgjuar kërkesën e njëzëshme nga qytetarët e shumtë që ka takuar këto ditë. Ajo ka thënë se ka vendosur t’i bashkohet LDK-së, për të dëgjuar zërin e qytetarëve.
“Ju dëgjova, prandaj po bashkohemi. Për të nisur këtë rrugëtim të ri të bashkimit, ju ftoj nesër, në orën 18:00. Le t’i bashkojmë zemrat dhe ëndrrat”, ka thënë ajo në videon e publikuar.
Postimi i Osmanit vjen pasi, gjatë ditës, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka zyrtarizuar marrëveshjen për garim të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit me ish-presidenten Vjosa Osmani, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se LDK-ja e ka mbështetur propozimin e tij që Osmani të jetë bartëse e listës zgjedhore dhe kandidatja për presidente. Vetë Abdixhiku do të jetë kandidat për kryeministër.
Ai tha se vendimi është marrë unanimisht në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, duke shtuar se në listën zgjedhore të partisë do të përfshihen edhe 19 emra të tjerë të propozuar nga Osmani.