Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka folur para mediave pas takimit që ka zhvilluar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz në Berlin.
Duke folur për temat që kanë diskutuar në takim, Vuçiq ka thënë se Serbia po e mundëson paqen në Ballkan, andaj edhe është në favor të Beogradit një kompromis me Prishtinën, raporton Tanjug, transmeton Sot News.
“Do ta bëjmë më të mirë për të lëvizur drejt një zgjidhjeje me kompromis, do të përpiqemi që të gjejmë një marrëveshje kompromisi, por siç kemi të qartë, kjo nuk varet vetëm nga dëshirat tona, por edhe të palës tjetër. Besoj se do të gjejmë kurajo që të bëjmë progres në këtë proces”, ka deklaruar Vuçiq.
Ai ka theksuar se ky proces nuk është i lehtë për Serbinë.
I pyetur nga gazetarët edhe për kritikat e shumta rreth ndikimit rus në politikat serbe, Vuçiq ka thënë se i ka thënë kancelarit Scholz por edhe kryediplomates gjermane në vizitën e saj në Beograd, se Serbia nuk po e rrezikon askënd në Ballkanin Perëndimor.
Presidenti serb ka thënë se koha do ta dëshmojë se ai ka të drejtë.