Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një postimi në Facebook ka krahasuar presidentin aktual të Rusisë, Vladimir Putin me ish-presidentin e Serbisë, Slobodan Millosheviq.
Në postimin e Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se veprimet dhe deklaratat e tyre janë të ngjashme, duke thënë se të dy janë autokratë e kriminelë, mohues të lirive dhe të drejtave të njeriut, mohues të kombeve që duan paqe, shkruan lajmi.net.
Madje, në postimin e VV-së, thuhet se të dy kanë punuar me presidentin aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe se të dy kanë kryer gjenocid e kanë mohuar krimet.
https://www.facebook.com/vetevendosje/posts/327337826099141
Duket se Lëvizja Vetëvendosje është inspiruar nga kryeministri britanik, Boris Johnson i cili disa herë ka krahasuar Putinin me Millosheviqin. Madje edhe sot, Johnson në një intervistë për ‘El Pais’ ka thënë se ka ngjashmëri mes tyre, disa prej këtyre ngjashmërive – që i ka përmendur edhe VV-ja në reagim.
“Ajo që unë sigurisht besoj është se ka një analogji të ngushtë midis sjelljes së Putinit dhe viteve të fundit të Slobodan Millosheviqit. Është shumë interesante që të dy liderët kishin qenë në pushtet për një kohë të gjatë, të dy gjithnjë e më autokratikë, që të dy kërkonin të forconin pozicionin e tyre të brendshëm dhe gjetën një kauzë të madhe nacionaliste. Slobodan Millosheviqi identifikoi vendlindjen e nacionalizmit serb, në të vërtetë, kombin serb, në Fushë Kosovë, dhe ai e frymëzoi popullin e tij me këtë ide të keqlindur se ai duhej të shpëtohej dhe të çlirohej. Ekziston një lloj analogjie e ngushtë midis këtij gabimi katastrofik dhe asaj që presidenti i Rusisë ka thënë për Kievin dhe origjinën e fesë, kulturës dhe qytetërimit rus dhe objektivave të tij në Ukrainë.”, tha ai.