Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve për pagat e stafit mbështetës shëndetësorë.
Zemaj tha se Qeveria e njeh presionin dhe se ky vendim ishte i ndikuar nga presioni.
Sipas tij, Qeveria e korrigjoi gabimin e rëndë tremujore, transmeton lajmi.net.
“Çdo vonesë për dhënien e pagave ka qenë e vështirë për 1.271 familje dhe pjesëtarët e tyre”, shtoi ai.
Reagimi i plotë:
Qeveria e njeh presionin!
Lajm i mirë nga Qeveria, por, i ndikuar nga presioni. Qeveria sot e korrigjoi gabimin e rëndë tremujor!
Reagim nga infermierëve dhe stafit mbështetës, Komisioni për Shëndetësi dhe reagim i bartësve të përgjegjësive institucionale për vonesat tremujore për pagat, sot e arritën qëllimin.
Fatkeqësisht, pas sensibilizimit dhe reagimit të fuqishëm, u arrit e drejta e punëtorëve shëndetësorë dhe stafit ndihmës për të marrë të drejtën e vet. Çdo vonesë për dhënien e pagave ka qenë e vështirë për 1.271 familje dhe pjesëtarët e tyre.
Shëndetësia ka nevojë për infermierë, punëtorë shëndetësorë dhe staf ndihmës, më shumë se kurrë! Ky kuadër i dha energji e cilësi shëndetësisë në gjendjen që ndodhet.
Qeveria duhet të gjej zgjidhje afatgjatë, për pacientët, për mirëqenien shëndetësore të qytetarëve duke synuar standardet evropiane të angazhimit të stafit në shëndetësinë parësore, dytësore e tretësore!.