Lajme

‘Zhgënjimi amerikan’: Kurti thotë se kërkesat e ShBA-së i dëgjon kur i sheh të arsyeshme

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
3:48 / 6 January 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar rreth shqetësimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kryesisht, u shprehen bashkë me zhgënjim në kohën kur Qeveria nuk pranonte ta shtyjë zbatimin e vendimit për targat. Çfarë tha shefi i ekzekutivit rreth kësaj çështje?

Në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës”, kryeministri i Kosovës ka folur edhe rreth deklaratave të aleatit më të madh të vendit, në veçanti, zhgënjimin e shprehur nga këshilltari special i DASh-it, Derek Chollet.

Zhgënjimi i Chollet?

Kjo ishte një prej pyetjeve që iu shtrua kryeministrit Kurti në intervistën e dhënë të enjten, ku ai më pas, do të pretendonte se nuk ka pasur cënim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Por fillimisht, ai e dha këtë deklaratë: “Unë jam kryeministër i Kosovës, dhe presidenti Biden ka thënë se Qeveria e Kosovës është qeveri e shtetit sovran.”

Ai ka thënë se ShBA shpesh bën kërkesa, dhe nëse “e konsiderojnë të arsyeshme, e bëjnë”.

“Asnjëherë partneriteti me ShBA-të nuk është cenuar dhe nuk është rrezikuar, përkundrazi, duhet ta kuptoni që ShBA përveç se na ka njohur, edhe ndërmjetëson, dhe shpesh na vijnë me ndonjë kërkesë që paraqitet si ide për kompromis. Nëse ne e konsiderojmë si të arsyeshme, atëherë edhe e bëjmë, por asnjëherë nuk është kontestuar e drejta jonë që të vendosim për vetën tonë.” – theksoi shefi i ekzekutivit.

Reagimet e ShBA-së

Kishte qenë fillimisht Departamenti i Shtetit Amerikan që ishte shprehur i zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos shtyrë zbatimin e vendimit për targat.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke.” – thuhej në komunikatë.

Në një postim në Twitter, Chollet po ashtu kishte “ndarë zhgënjimin e Amerikës me vendimin e Kosovës për të mos shtyrë vendimin për targa”.

Për “zhgënjimin”, ai foli edhe në intervistën dhënë para pak ditësh “Zërit të Amerikës”, ku përmendi, se ka pasur shumë biseda me kryeministrin e Kosovës.

“Bëhej fjalë për një çështje specifike, atë të zbatimit të vendimit për targat. Ne kishim pasur shumë biseda me kryeministrin dhe të tjerë për këtë çështje. Sekretari i Shtetit pati një bisedë me të.” – kishte thënë ai.