Lajme

Zogaj: LDK e hapur për bisedime për presidentin, disa diskutime mes Kurtit dhe Abdixhikut mbeten konfidenciale

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
4:49 / 16 April 2026

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, ka deklaruar se subjekti i tij mbetet konstruktiv dhe i hapur për bisedime lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Zogaj ka theksuar se LDK-ja nuk po refuzon takimet me kryeministrin dhe njëherësh kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndërsa ka shtuar se partia e tij ka alternativa konkrete për daljen nga kriza aktuale politike.

“Jemi shumë afër afatit përfundimtar, pra koha po ecën. Kanë mbetur rreth 12 ditë deri në fund të këtij procesi. Shohim se ka urgjencë dhe duhet të intensifikohen takimet në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për ngërçin politik në të cilin ndodhemi aktualisht. LDK është konstruktive në këtë proces dhe, me këtë konstruktivitet, dua të theksoj se jemi të hapur për biseda. Nuk po i refuzojmë takimet dhe as diskutimet, jemi konstruktivë dhe kemi alternativa në tavolinë. Kemi thënë vazhdimisht se ekzistojnë dy alternativa për të dalë nga kjo krizë politike, njëra është zgjedhja e një presidenti konsensual, ku partitë ulen dhe bien dakord për një emër të përbashkët, dhe pastaj vazhdohet me zgjedhjen e presidentit. Alternativa tjetër është një marrëveshje politike mes partive, ashtu siç janë zgjedhur presidentët edhe në të kaluarën. Opsioni i një presidenti konsensual po duket se po vonohet, pasi kërkon biseda më të zgjeruara”, ka thënë ai.

Zogaj ka thënë se Kurti dhe Abdixhiku janë pajtuar që disa çështje të diskutimeve për presidentin të mbesin konfidenciale.

Ai ka shtuar se edhe anëtarët e kryesisë nuk i dinë të gjitha diskutimet, duke thënë se e respektojnë këtë.

Zogaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që javën e ardhshme të zhvillohet një takim tjetër mes Kurtit dhe Abdixhikut.

“Takimet janë tetë a tetë të liderëve tanë. Ne i kemi dhënë autorizime të plota kryetarit Abdixhiku me i udhëheq këto biseda. Ka një dakoordim që disa prej bisedave me mbet konfidencialite edhe kjo nënkupton që edhe ne që jemi anëtarë te kryesisë nuk i kemi të gjitha informatat dhe ne e respektojmë në tërësi një dakoordim të tillë. Unë kërkoj mirëkuptim edhe prej qytetarëve të Kosovës edhe medieve, e dimë interesimin e madh. Takimi ka qenë konstruktiv. Por një absurditet është se pas takimit kërkohen më shumë vota”, ka theksuar Zogaj.

Duke folur për përgjegjësinë për vonesat, Zogaj ka theksuar se barra kryesore i takon fituesit të zgjedhjeve.

“Unë mendoj se gjithmonë primatin në zgjidhjen e këtyre problemeve të mëdha e ka ai që i ka fituar zgjedhjet dhe që ka shumicën politike në vend. LVV-ja sot, me partnerët e saj, ka 66 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe ata e kanë primatin e udhëheqjes së këtyre proceseve, ndërsa ne kemi 15 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe me deputetët tanë jemi të hapur dhe të interesuar që të kontribuojmë për zgjedhjen e presidentit të vendit. Pra, kemi interesim të madh dhe jemi konstruktivë për të gjetur një zgjidhje për këtë problem”, ka deklaruar ai.

Sa i përket mundësisë për një president nga partitë e tjera, Zogaj ka thënë se LDK-ja është e hapur vetëm nëse bëhet fjalë për një figurë konsensuale.

“Nëse është një emër konsensual, ne jemi për një opsion të tillë, por ajo që po e themi shumë qartë është se nuk e pranojmë një opsion ku LVV udhëheq me të gjitha pozitat kryesore të shtetit. Kjo është absolutisht shumë e rrezikshme dhe e themi me idenë që në vend të ketë një balancë të pushtetit, ndërsa presidenti normalisht e krijon këtë balancë. Pra, nuk lejojmë dhe nuk e votojmë një zgjatim të qeverisjes. Koha po kalon dhe, sipas mendimit tim, më shumë po na mbetet opsioni i një marrëveshjeje politike, nëse ka vullnet për këtë gjë”, ka përfunduar Zogaj./teve1.info/