Analisti i çështjeve politike, Petrit Zogaj, ka thënë se meqë Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kontroll mbi mediat, ajo po ndërton një strategji të denigrimit të medias duke thënë që gjithçka që vjen nga to është ”fake news”.
Zogaj përmes një postimi në Facebook, ka shtuar po ashtu se, VV-ja po mundohet t’i bind qytetarët se mbrapa medias në përgjithësi janë grupe kriminale, shkruan lajmi.net.
“Është e qartë që pushteti aktual nuk ka kontroll mbi shumicën e mediave në Kosovë, përjashtimisht mbi RTK-ne. Si zëvendësim për ketë, LV dhe pushteti i saj po ndërton një strategji të denigtimit të medias në përgjithësi, duke thënë që gjithçka që vjen nga mediat është një “fake news.” Që mbrapa medias në përgjithësi janë grupet kriminale, te cilat ne po i luftojmë. Qe publiku nuk duhet t’u besojnë atyre dhe se e vërteta mbi qeverisjen në vend vjen vetem nga ajo që qeveria e partia në pushtet e thonë. Kjo ka qenë saktësisht strategjia që Trump dhe ekipi i tij me vite e ka ndërtu në ShBA. Trump në cilësinë e presidentit, në tubime elektorale, ju drejtonte gishtin mediave të pranishme duke thënë që të gjithë ju jeni fake news media”, ka thënë Zogaj.
Tutje, analisti i politikës, ka thënë se VV-ja për çdo skandal që ka dalë është arsyetuar duke thënë se është “fake news” e mediave.
“Edhe partia në pushtet në Kosovë, në çdo skandal që ka dalë, është arsyetuar duke thënë që e gjitha është një “fake news” e mediave të pushtetit të kaluar dhe se asgjë nuk ka të vërtetë në lidhje me ato skandale. Aktualisht kjo strategji është duke i funksionuar, por s’besoj që i zgjatë pafundësisht kjo qasje”, ka përfunduar Zogaj.