Shkrimtari Çun Lajçi
Postimi i plotë
Aman! A je Abeli, Kaini a Albini. Cili je?
Cili je ti kaçurreli i viteve 90-ta? Ti këmishëbardhi që t’zvarrisnin rrugëve t’Velanisë, me nji tufë studentësh nga mbrapa!
Ibrahimi rrinte n’kodër, me dorën mbi vetulla, tue i kullua zemra dhimbje, për studentët e rebeluem, me nji rektor plak n’ballë!
Cili je ti flokë dredhani me duert e thyeme që s’të dilte ofshama as gjama!
Kaini?
Fausti apo Mefisto?
Emnin s’po ta shkruej, se njimijë e nji, m’kacavaren n’bishtin e kandarit e m’thehet boça, pa e mat burrninë time e qëndresën tande!
A je ai që ishe, apo je ky që po t’gjasojnë me Samsonin, flokë premë, nga nji Dalilë norvege, që s’po ka forcë mu përballë me Vuçiqët e Serbisë! Apo, je Mefisto që dredhë e zhdredhë, e Faustët e Parlamentit s’ti kuptojnë shenjat, rrugëve dardane.
Me shkrua për ty, asht njisoj si me lidhë gjarpnin n’brez, e me ecë vezëve të tij! Kush s’tafrohet e kurrë vetëm nuk mbesësh, se Mefistot vriten me Kainët e Abelit i mbesin fajet!
Aman cili je, që po m’shajnë sa herë po ta shkruej emnin, e s’po m’lanë as me t’vra as me t’falë!
Unë Samsonin e deshta e Dalilës kurrë s’iu frigova, se flokë s’pata si ti, me mi pre e me ma marrë fuqinë. Zotat me deshtën edhe qeros, ani se ua rrëzova kullat e rrenave, mashtruesve qe mundoheshin me kafshua ujkun, n’pyllin e dendun!
Dje, pa sherr i luta ta ndihmojnë nji çunak, që ka dëshirë t’jetë si Abeli, e ty t’ka therrë n’sy, por të gjithë u varen n’bishtin tim t’kandarit, e boça m’ra n’gishtin e madh t’kambës, e mbeta pa thua, si kali pa patkoj!
Emnin ma thuej të Vellusha, kur t’frynë era e kur gjethet e plepave t’shushurisin, që mos të zgjohen Kainët e Kuvendit me i thirrë Mefistofelët, me tërfurqët e hekurit, se jam i lig nga zemra, e s’muj mu futë n’kanalin e Prishtefkës!
Nëse je ai kaçurreli i viteve 90-ta, mos e harro Ibrahimin që t’shikonte nga kodrat e Velanisë, pa fuqinë e Samsonit me të ndihmu!
As anglishtën e brisht mos e harro, se ajo t’pruni deri këtu!
Aman! A je Abeli, Kaini a Albini. Cili je?
Shengjin, 17.07.2022