Agjencia Kosovare e Privatizimit dje e ka hapur valën e 55-të të shitjes të aseteve ku përfshihen toka dhe lokale afariste. Lidhur me këtë lajm, ka reaguar e gjithë opozita, duke qenë se shuarja e këtij institucioni, ka qenë një prej premtimeve të Vetëvendosjes dhe Kurtit. Por, mes opozitarëve që kanë reaguar ashpër është edhe Ramush Haradinaj kryetar dhe deputet i AAK-së, dhe ish-kryeministër. Reagimi i Haradinajt, po shihet si i habitshëm, duke qenë se ai njihet për privatizimin e qindra hektarëve tokë, me çmim të lirë…
Kryetari i AAK-së njëherit deputet i kësaj partie, z.Ramush Haradinaj, ka folur për vendimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për privatizimin e disa pronave shoqërore.
Haradinaj thotë se Qeveria nxori në privatizim 55 prona shoqërore dhe, dyshimet e tij janë se ‘ndoshta vetë partia në pushtet – Vetëvendosje, do t’i blejë ato prona’.
“E pash që Qeveria e ka marr një vendim të pjesshëm. Ajo që më shqetëson është një valë e re e privatizimeve dhe po duket që janë të ndërlidhura. Qeveria Kurti ka nxjerr në privatizim 55 prona shoqërore, apo ndoshta vetë VV-ja donë me i ble do prona për njerëzit e tyre”, tha Haradinaj sot.
Por, në vitin 2020, në media kishte dalë lajmi se si Haradinaj ka privatizuar 200 hektarë tokë të shtetit me çmimi 3.75 euro për ari.
E kjo punë, ka qenë shpesh tema që ka përplasur në Kuvend, kryeministrin Albin Kurti me Ramush Haradinajn.
Në njërën prej seancave të Kuvendit të Kosovës, madje Kurti kishte një propozim për Haradinaj: t’ia kthente shtetit 200 hektarë tokë,dhe shteti t’ia jepte Haradinajt 70 mijë euro.
“Meqë mu dha propozimi që ministrat e mi t’i çoj te KEK-u, që të mërdhihen, unë e kam një kundërpropozim. Deputeti Haradinaj, le t’i kthen në shtet 200 hektarë tokë edhe ne po ia japim 70 mijë euro”, pati deklaruar Kurti në njërën prej seancave të Kuvendit, të vitit të kaluar.
Ndryshe, Sipas deklarimit të pasurisë në vitin 2018 (teksti i Kallxo.com), në kohën kur Haradinaj ishte kryeministër, ai kishte deklaruar se ka blerë 200 hektarë tokë nga privatizimi, me vlerë 75 mijë euro.
Sipas këtij deklarimi, prona është në bashkëpronësi, ndërsa toka është kodrinore, por nuk ceket lokacioni.