Shkëmb Manaj, djali i veprimtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shaban Manajt, ka thënë që ka pasur ndërhyrje në sistemin e drejtësisë që vrasjet e pasluftës të mos zbardhen.
Kjo deklaratë e tij vjen në 22-vjetorin e vrasjes së Manajt, rasti i të cilit edhe nuk është zgjidhur.
“Normalisht na rëndon edhe neve, i rëndon edhe bashkëpunëtorët edhe miqtë por edhe vetë shtetit të Kosovës sepse vrasjet e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe jo vetëm të LDK-së, por edhe të figurave të tjera ushtarake në Kosovën e pasluftës normalisht që kanë qenë momente të vështira sepse ne kaluam një luftë të vështirë, një luftë të rëndë, dhe nuk kemi pritur që liria e Kosovës të përgjaket duke u vrarë njerëzit, të cilët gjithë jetën e tyre e kanë vënë në shërbim të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Manaj për Info Magazine të Klan Kosovës.
“Normalisht që ne kemi bashkëpunuar ngushtë me institucionet e drejtësisë së vendit tonë që nga periudha e vitit 2000, domethënë që pas vrasjes së babës, dhe në atë periudhë ju e dini që pjesa e drejtësisë është menaxhuar nga UNMIK-u, pra ka qenë kompetencë e rezervuar e ndërkombëtarëve deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Është zhvilluar në atë kohë një proces gjyqësor, ka pasur të arrestuar si kryes të mundshëm të vrasjes së babës por në fund të procesit janë liruar të pafajshëm për mungesë të dëshmive”.
Sipas Manajt, organizimi i këtyre vrasjeve të pasluftës duket të ketë qenë plan profesional, gjë që ka ndikuar në vështirësitë e gjetjes së fajtorëve.
“Prej atëherë e deri tash nuk ka pasur ndonjë angazhim do të thosha serioz edhe prej prokurorisë së shtetit për të vazhduar më tutje hetimet dhe për të zbardhur këtë vrasje por edhe vrasjet tjera që konsiderohen vrasje me motive politike”.
“Mendoj që zbulimi i kësaj vrasjeje dhe i vrasjeve të tjera politike nuk është çështje e partive politike, por është çështje përtej partive politike, është çështje e institucioneve të drejtësisë dhe shpesh po keqpërdoret kjo çështja e menaxhimit me ministrinë e Drejtësisë, ju e dini që ministria e Drejtësisë i bën politikat në fushën e drejtësisë por nuk merret drejtpërdrejtë me hetimin dhe ndriçimin e vrasjeve, janë kompetenca që i takojnë organeve të rendit, të policisë, të prokurorisë, pastaj edhe të gjykatave”.
“Unë mendoj që institucionet e drejtësisë nuk kanë arritur t’i zgjidhin këto raste pasi që normalisht kanë qenë raste të cilat janë planifikuar. Domethënë, mënyra se si kanë ndodhur në një zinxhir në një periudhë të caktuar kohore janë vrarë personalitetet më të shquara të Lidhjes Demokratike të Kosovës por edhe të figurave të tjera ushtarake dhe asnjëra prej këtyre vrasjeve nuk është zbuluar. Dhe fakti pse asnjëra prej këtyre vrasjeve nuk është zbuluar tregon se mënyra, organizimi i tyre ka qenë do të thosha goxha i profesionalizuar, në atë mënyrë edhe ndoshta të mos mund të ndriçohej. Unë mendoj që ka pasur ndërhyrje në sistemin e drejtësisë në vendin”.
“Unë mendoj që ka pasur ndërhyrje edhe mendoj që ka mundur të ketë ndërhyrje edhe të natyrës politike por përtej këtyre do të thotë kanë qenë ndërhyrje edhe të grupeve dhe të formacioneve të cilat I kanë kryer këto vrasje sepse këto vrasje nuk kanë qenë vrasje të rastësishme, unë mendoj që kanë qenë vrasje të planifikuara mirë dhe mënyra se si normalisht që njerëzit që kanë urdhëru të vriten figurat kryesore të Lidhjes Demokratike të Kosovës në terren , edhe Shaban Manaj, edhe Smajl Hajdaraj, edhe Ismet Rraci, edhe Enver Maloku, edhe Tahir Zemaj, dhe figura të tjera politike dhe ushtarake nuk kanë qenë të rastësishme, kanë qenë të planifikuara dhe mendoj që urdhërdhënësit kanë pasur ndikim në institucionet e drejtësisë, nuk kanë lejuar që këto vrasje të ndriçohen në plotni”.