Nënkryetari i LDK-së kritikon Vetëvendosjen për qasjen ndaj presidentes dhe mohon mungesën e numrave.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mosmbajtje të premtimit ndaj Vjosa Osmanit lidhur me një mandat të dytë presidencial.
Duke komentuar deklaratën e nënkryetarit të VV-së, Glauk Konjufcës, se opozita po kalkulon me Osmanin për të ulur përqindjen e Vetëvendosjes, Haziri tha se kjo parti nuk duhet ta përdorë emrin e saj.
“Nuk e di pse Vjosa Osmani duhet të përdoret nga Lëvizja Vetëvendosje, parti e cila nuk ia ka mbajtur fjalën. Vjosa Osmani ka hyrë më 28 dhjetor në zgjedhje si mundësi që me pasë mandatin e dytë për presidente nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Së paku, ajo këtë e ka dëshmuar, e ka deklaruar”, tha ai për Kosova Press.
I pyetur për pretendimet e VV-së se LDK nuk i ka pasur numrat e nevojshëm, Haziri e mohoi këtë, duke theksuar se marrëveshja do të ishte bërë drejtpërdrejt me Osmanin dhe jo me kryeministrin Albin Kurti.
“Numrat i kemi pasë. Vetëvendosja duhet me i dhënë numrat e mandej LDK-ja kërkon marrëveshje vetëm me Vjosa Osmanin. Sikur herën e kaluar, ne s’kemi bërë marrëveshje me Albin Kurtin për Vjosa Osmanin në vitin 2021, ne kemi bërë marrëveshje me Vjosa Osmanin dhe ia kemi dhënë votat dhe e kemi mbajtur fjalën”, u shpreh Haziri.
Ai shtoi se do të kishte qenë më e ndershme politikisht që Vetëvendosje të deklaronte para zgjedhjeve të 28 dhjetorit se nuk e mbështeste më Osmanin për presidente.
“Korrekte politikisht do të kishte qenë që para 28 dhjetorit të thuhej se këto zgjedhje do ta determinojnë edhe presidentin e ri dhe se Vjosa Osmani nuk është më kandidate që ne e mbështesim, por jo të mblidhen vota në emër të saj”, tha ai.
Sipas Hazirit, VV ka kërkuar vota si për një mandat të tretë qeverisës, ashtu edhe për postin e presidentit.
Në fund, i pyetur nëse LDK po zhvillon bisedime me Osmanin për një rikthim të mundshëm në parti, Haziri u shpreh se presidentja aktualisht është duke zhvilluar diskutime me qytetarë, gjë që sipas tij është tashmë publike.