SHIK-u, një organizatë që drejtohej nga njerëzit e fuqishëm, më vonë të PDK-së, sipas raporteve të inteligjencës së KFOR-it amerikan, kishte rreth pesë mijë anëtarë.
“Fuqia aktuale e SHIK-ut (viti 2002/2003) llogaritet të jetë prej 3 mijë operativëve. Nga këta 300-500 kanë qenë në TMK”, thuhet në një relacion sekret të KFOR-it amerikan për NATO-n, dokument ky i publikuar vite më parë.
Paraprakisht, SHIK-u kishte rreth pesë mijë anëtarë.
Por, tre njerëz në atë kohë rezultojnë të kenë pasur ndikim të madh në SHIK. Numri një sipas perceptimit konsiderohej Kadri Veseli, shefi i SHIK-ut, ndërsa dyshi ishte Elmi Reçica, “Petriti”, por thuajse një raport të barabartë fuqie me ta llogaritej ta kishte Xhavit Haliti. Fuqia e tij nuk buronte nga vetë përgjegjësia po detyra që kishte në SHIK. Përkundrazi fuqia e tij buronte kryesisht nga raportet e veçanta që kishte me SHISH-in, shërbimin inteligjent të Shqipërisë.
Po ashtu përmenden edhe dy veta me ndikim në SHIK Driton Hoxha dhe Rexhep Selimi. Driton Hoxha ka qenë një ish-anëtar i UÇPMB-së, dhe se kishte mbajtur një vit burg në Shqipëri, i akuzuar për terrorizëm.
Agron Haradinaj besohet se ishte një anëtar i ShIK-ut, dhe që ishte në shoqërim të ngushtë me Xhavit Halitin, Isa Balajn, Ali Haskajn dhe Azem Sylajn.
Burimet financiare
Por, për të ekzistuar i duheshin edhe burime financiare.
SHIK-u kishte lidhje të fuqishme me ndërmarrje kriminale dhe shumica e financimeve të tyre rridhte nga aktiviteti i paligjshëm, veçanërisht nga hotel “Viktori” dhe Kosova Petrolli, të cilët ndodheshin në zonën e “rrethit me flamur”, siç njihet sot në Prishtinë. Madje, hoteli “Viktori” konsiderohej si pastruesi më i madh i parave të SHIK-ut.
SHIK-u po ashtu realizonte fitime nëpërmjet reketit ndaj bizneseve, nga të cilat i evidentonin disa, dokumentet e NATO-s, si Lesna, Agro Llapi etj.
Ali Ahmeti apo Abaz Xhuka, Hashim Thaçi, Azem Syla dhe Xhavit Haliti, janë katër themeluesit që quhen “baballarët themelues” të UÇK-së në 1993, të cilët përmenden për ndikimet e tyre në relacionet e KFOR-it.
Kuptohet se burimet kryesore financiare siguroheshin edhe me fushata haraçi ndaj bizneseve, që përmendet edhe në dokument, kur vetëm në Ferizaj, i siguruan për kohë të shkurtër 400 mijë dollarë.
Paprekshmëria e Halitit
Një parashikim interesant në atë dokument, i cili u realizua plotësisht është: “Haliti nuk do të guxojë ta kapërcejë Thaçin, asnjëherë”. Pra, Xhavit Haliti, për nga roli politik në institucione, pozitat që kishte, asnjëherë nuk shkoi më lart se sa e anëtarit të kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Po ashtu ky parashikim lidhej edhe me vlerësimin për informacionet, se Hashim Thaçi dinte “çdo gjë” për Halitin, dhe se ky e dinte këtë. Ata besonin se Thaçi i kishte të siguruara këto informacione si lider i UÇK-së.
Por, gjithashtu edhe parashikimi tjetër doli i saktë se, Haliti në një mënyrë është i paprekshëm në PDK, i ndihmuar nga SHIK-u i Kosovës dhe ai i Shqipërisë.
“Haliti ka SHIK-un dhe lidhjet e tij me njerëzit e lartë në SHIK dhe Shqipëri dhe kjo në njëfarë mënyre garanton pozitën e tij në politikën e Kosovës”, thuhet në dokument.
Ndërsa, sa i përket figurave me ndikim, se cilat ishin më afër Halitit apo Thaçit, relacioni KFOR-NATO, e radhiste më të mbështetur Thaçin, si nga Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, por kishte njerëz që e mbështesnin Halitin, si ish-ministri i asaj kohe, Ethem Çeku.
Fraksionet në SHIK
Sipas atyre dokumenteve të KFOR-it, SHIK-u ishte i ndarë në dy fraksione kryesore, njëri ishte i përbërë kryesisht nga anëtarë të departamentit të G2 të TMK-së. “Pjesa tjetër kryesisht përbëhej nga anëtarë të rangut të lartë të KPK-së. Në veçanti ushtarët e njësive të rojeve të TMK-së”, thuhet në dokument.
Sipas atyre dokumenteve Haliti, kishte nën kontroll një grup të veçantë, me gjasë mikst, por më të vogël, e me shumë ndikim.
“Brenda këtyre dy fraksioneve, Xhaviti kryeson një grup tjetër ‘të ndarë’ brenda KSHIK-ut, i cili mban lidhje të forta me Shërbimin Kombëtar të Informacionit Shqiptar (tani i referuar si SHISH)”, thuhet po aty.
“Për shkak të këtyre lidhjeve të fuqishme të Halitit me SHISH-in, ai nuk shihej me sy të mirë nga Elmi Reçica dhe Kadri Veseli, të cilët e parapëlqenin që ai të ishte një organizatë e pavarur”.
Kupola e SHIK-ut
Sipas interpretimit të KFOR-it amerikan, dy figurat kryesore të SHIK-ut janë Kadri Veseli “Luli” dhe Ilmi Reçica “Petriti”. Kadri Veseli është i perceptuar si drejtues i SHIK-ut, i cili ka shoqërim të fuqishëm me Hashim Thaçin.
Ndërsa, “Petriti” është ish udhëheqës i G2 në Policinë e Kosovës, dhe konsiderohet numri 2 brenda organizatës SHIK.
Një detaj interesant, që jepet në këtë raport, edhe si informacion, por edhe si interpretim është se drejtori i ri, i asaj kohe në SHISH të Shqipërisë konsiderohej pro-komunist dhe që formalisht kishte punuar në ambasadën e Shqipërisë në Beograd. Sipas komenteve të KFOR-it, SHISH-i historikisht ka dërguar top operativët e vet në Beograd, Vjenë dhe Paris.
Sipas këtyre burimeve, është e qartë se SHIK-u nuk kishte thjesht një grup kontrolli, sipas detyrave. Ai ishte më i madh, dhe raportet e bëjnë përgjegjëse të gjithë kryesinë e PDK-së.
“Kontrolli përfundimtar i KSHIK-ut është në duart e kryesisë së PDK-së dhe rrjedhimisht është kryesia e partisë ajo që kontrollon politikën e KSHIK-ut”, thuhet në raport.
Një person tjetër si duket me ndikim në SHIK, dhe që kishte relacion të veçantë me Halitin ishte Vladimir Prela, ish ministër i Punëve të Jashtme, të Shqipërisë. Ai besohet se i kontrollonte vizitat zyrtare nga Shqipëria në Kosovë, pjesërisht edhe të vizitorëve që e mbështesnin PDK-në. Ai besohej se ishte edhe përfaqësues i Zyrës së Shqipërisë në Kosovë.
Prela, që ishte në miqësi të afërt me Halitin, takohej rregullisht me zyrtarë të PDK-së dhe udhëheqës të SHIK-ut, përfshirë Kadri Veselin dhe Latif Gashin.
“Haskaj, një ish-snajperist dhe i njohur si një vrasës me pagesë, i cili kërkon ndërmjet 10-20 mijë DM për një sulm. Haliti është parë në shoqërim të Haskaj me Hashim Thaçin”, thuhet në dokument.
“Z.Haliti me Kadri “Sali” Veseli, shef i SHIK-ut, përgatiten “Listën e zezë” të politikanëve të moderuar, të cilët u keqtrajtuan nga SHIK-u dhe mbështetësit e PDK-së”, thuhet në dokumentin sekret të KFOR-it amerikan, relacion për NATO-n.
Po sipas këtyre dokumenteve rezulton se SHIK-u e angazhoi në strukturat e tij Fatmir Dermakun, një ish agjent që ka punuar në shërbim të strukturave të Millosheviçit deri në vitin 1999. Ai në këto dokumente përmendet si një i dyshuar në një numër të madh aktesh të dhunshme, ndërsa akti më i rëndë që dyshohet se është kryer nga ai është vrasja e Xhemail Mustafës, e cila vrasje pritet të ndriçohet nga gjykata speciale. Këto informacione në dokument thuhet se janë siguruar nga LDK-ja.
Por, ku përfundoi ‘armata’ e pesë mijë shikasve?
Një pjesë e madhe e tyre sigurisht se kanë zënë vende punë në institucione shtetërore, ndonjë edhe në biznese profitabile private.
Një grup prej tyre janë pjesë e AKI-së, dhe sigurisht se disa nga ta janë edhe pengesë për funksionimin normal të kësaj agjencie, ndërsa disa të tjerë kanë vazhduar të strukturohen në transformimi i TMK-së në FSK, dhe disa të tjerë në policinë e Kosovës. Ka dhe të tjerë që janë pensionuar, sikurse dyshohet që ka edhe në institucione publikë si në PTK dhe në institucione të tjera.
Në vitin 2018 Lëvizja Vetëvendosje kishte tentuar për herë të tretë mbledhjen e 40 nënshkrimeve për formimin e një komisioni për hetimin e SHIK-ut. Herën e dytë kishte qenë afër, por kishte dështuar në mungesë të dy nënshkrime, pasi kishin mbledhur 38, nga 40 të nevojshëm.
Ndoshta është koha të hapet një debat i tillë sërish, nëse do të mund të ndihmonte në zbardhjen e krimeve dhe në identifikimin e ish-anëtarëve të SHIK-ut, që kanë kryer krime, kanë abuzuar apo kanë ndihmuar në krime!