Ish-mjeku i UÇK-së dhe ish-kandidati i LVV-së për deputet të Kuvendit të Kosovës, Liri Loshi thotë se do ta kritikonte Qeverinë Kurti për të punuar më mirë, por jo që kritika e tij me i hy në punë opozitës.
Ai përmes një postimi në Facebook, shkruan se, do të kritikonte qeverinë që ajo me bë më mirë e jo me ra prej pushtetit dhe me marrë këta që e patën më herët.
Loshi tutje shkruan se, po pret për të dal një opozitë e re, pasi nuk po ka qef me pa Albinin si plak në pushtet, duke shtuar se pushteti Albinit i ka hije kështu si është, i ri dhe energjik.
Ai me ironi shkruan se po e pret Dardan Molliqajn dhe Frashër Krasniqin mos po bëjnë diçka.
Postimi i plotë i Liri Loshit:
Unë e kisha kritiku për do gjera qeverinë, por menjëherë po e shoh se po futem në aleancë me burizonët e opozitës. E këtë aleancë nuk mund ta pranoj! Sepse, pas njëzet vitesh qeverisje mendoj se ata duhet të rrinë po aq vite në opozitë. Pra, do ta kritikoja qeverinë që ajo me punu ma mirë çdo ditë, por jo që kritika ime me i hy në punë opozitës.
Do ta kritikoja qeverinë që ajo me u ba sa më e mirë dhe me e vazhdu pushtetin e jo me ra ajo e pushtetin me e marrë këta që e patën. Sepse, nuk e meritojnë. Madje as për të kritikuar nuk kanë legjitimitet.
Po pres me dalë një opozitë e re, se nuk po kam qef me e pa Albinin si plak në pushtet. Mendoj se pushteti i ka hije kështu si asht, i ri dhe energjik. Po e pres Dardanin dhe Frashërin mos po bajnë diçka!