LDK është e hapur për bisedime dhe takime dhe nuk dëshiron zgjedhje të reja, siç është dhe vullneti i qytetarëve të Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur për Gazeta Blic, anëtari i kryesisë së LDK-së, Alban Zogaj.
Ai thotë se Grupi Parlamentar i kësaj partie me 15 deputetë është unik dhe për të përgjigjet LDK dhe kryetari i saj.
Zogaj ka shtuar se LDK është e hapur për diskutime dhe ka interes për zgjidhjen e çështjes së presidentit.
“Ne i kemi 15 deputetë në Kuvendin e Kosovës, pra grupi është shumë unik, i një mendimi, andaj për ato 15 vota të LDK-së në Kuvend përgjigjet LDK dhe kryetari Lumir Abdixhiku. Ai i ka të gjitha autorizimet që të shkojë dhe të bisedojë për këtë çështje shumë të rëndësishme për vendin, jemi të hapur, jemi konstruktiv, nuk po i refuzojmë takimet, nuk po i refuzojmë bisedat, kemi interesim ta zgjidhim këtë çështje sepse konsiderojmë se është në të mirë të vendit. Andaj, do të presim dhe do të shohim se çfarë do të na sjellin këto ditët e ardhshme”, ka deklaruar ai për Gazeta Blic.
Sa i përket mundësisë për zgjedhje, ai thotë se nëse kjo ndodh është faji kryekëput i VV-së.
“Vendi shkon në zgjedhje, sa po e shohim ne disponimin e qytetarëve është që të mos ketë zgjedhje, pra të zgjidhet problemi i presidentit të ri të vendit por nëse ne shkojmë në zgjedhje, kjo është kryekëput interes dhe faj i partisë fituese e cila i ka 66 deputetë me koalicionin aktualisht në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Alban Zogaj./Gazeta Blic/