Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka lavdëruar Kosovën për rreshtimin që republika e vogël ballkanike e ka bërë karshi Rusisë që nisi luftën në Ukrainë.
“Kosova, një vend me të kaluar të afërt të luftës e ka bërë shumë herët të qartë qëndrimin e saj në pajtim me politikat e Bashkimit Evropian në gjitha çështjet ndërkombëtare dhe kështu ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Kjo meriton njohje të madhe”, tha Scholz në konferencë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, të cilin e priti në Berlin.
Toptemë tjetër në bisedimet Scholz-Kurti ishin bisedimet Kosovë-Serbi, njofton Klan Kosova.
Për t’i dhënë një shtytje këtij procesi kancelari ftoi në kryeqytetin gjerman edhe emisarin evropian për dialog, Miroslav Lajçak që sipas planit në një takim joformal i bënë bashkë Kurtin e presidentin serb, Aleksandar Vuçiqin në Berlin.
Scholz, shtoi se njohja ndërkombëtare e Kosovës mbetet prioritet i qeverisë së tij.
“Jam i bindur se pikërisht në kohërat si këto që po i jetojmë, ku në fqinjësi tonë po bëhet një luftë brutale është qendrore që Kosova e Serbia ta zgjidhin hap pas hapi konfliktin mes tyre. Me këtë ata kontribuojnë për sigurinë e paqen e Ballkanit Perëndimor e krejt Evropës. Qëllimi i dialogut të Brukselit është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që u hap perspektivën evropiane të dyja vendeve”.
Nga ana e tij, Kurti i tha kancelarit se Prishtina është gati për bisedime me Beogradin, por ku njohja vjen në fillim të procesit e jo në fund.
Të dy kryeministrat folën për bashkëpunimin ekonomik kosovaro-gjerman. Republika Federale u quajt si investitori më i madh në Kosovë.
Mysafiri tha se është koha që BE-ja t’i liberalizojw vizat për kosovarët.
Nikoqiri u pajtua me këtë derisa sqaroi se gjermanët bashkë me partnerët tjerë po punojnë në këtë drejtim por shtoi se një datë se kur kjo do të realizohet, nuk mund të thuhet.