Lajme

Veton Surroi thotë që Kosova duhet të jetë në krejt nismat rajonale

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
6:32 / 9 June 2022

Publicisti dhe njëkohësisht këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Veton Surroi, ka kërkuar që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit të bëhet serioz.

Sipas Surroit, bisedimet kanë ardhur në një pikë që duhet të bëhen serioze, që do të thotë se duhet të jenë bisedime për gjendjen aktuale të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë si shtete dhe si të mund të normalizohen ato.

“Për sa kohë ka çështje si njohja e targave e të tjera si këto që marrin vëmendjen dhe energjitë, atëherë bisedimet nuk kanë sjellë asnjë ndryshim për marrëdhëniet mes dy vendeve. Fatkeqësisht, dialogu ka hyrë në një fazë mikro-menaxhimi, jo tani, por prej vitesh tashmë. Ndaj sfida kryesore është si të nisë një dialog ku palët të përballen me ankesat e tyre”, tha ai në një intervistë me Ilva Taren për #BalkansDebrief të Këshillit të Atlantikut.

Surroi gjithashtu, ndryshe nga Kurti, sugjeron që Kosova duhet të marrë pjesë aktive në çdo nismë rajonale, apo europiane për të shprehur qëndrimet e saj.

“Kosova duhet të marrë pjesë dhe të jetë anëtare e plotë, ose vëzhguese, të shprehë qëndrimet e veta për çdo nismë të arsyeshme që është në Ballkanin Perëndimor dhe çdo nismë tjetër në Europë”.

“Qëllimi ynë është të marrim pjesë në çdo proces shumëpalësh në Europë, jashtë Europës dhe në botë. Ne duhet të shprehim në mënyrë aktive opinionet tona”.

 Ai ka folur edhe për deklaratën e kryediplomatit rus, Sergey Lavrov, në mbështetje të “Ballkanit të Hapur” duke thënë se Rusia s’mbështet bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit.

“Rusia nuk është një vend mbështetës i bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit. Ka tentuar në 10 vitet e fundit në mënyrë të fshehtë, gjysmë të fshehtë, ose aspak të fshehtë të pengojë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit. Mali i Zi është destabilizuar nga veprimet ruse. Ka pasur tentativa në Maqedoninë e Veriut, ndaj nuk do t’i kushtoja shumë vëmendje deklaratës së tij për këto çështje”.

Veton Surroi është i mendimit se Prishtina dhe të gjitha palët të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të angazhohen në Procesin e Berlinit.

“Kemi nevojë për të arritur objektivat që janë parashkruar në marrëveshjen e Sofjes për të ndihmuar Tregun e Përbashkët Rajonal. Objektivi ynë është si të arrijmë tek Tregu i Përbashkët Rajonal mes të gjitha vendeve të Balkanit brenda një kohe relativisht të shkurtër. Duhet të vendosim pritshmëri të matshme, për shembull, cilat janë 10 gjërat që na duhen në 6 muajt e ardhshëm për të përforcuar procesin dhe të kemi rezultate konkrete”.

Publicisti thotë se ideja e Tregut të Përbashkët Rajonal nënkupton se të gjitha palët janë të barabarta.

“Së pari, nuk mund të kesh Treg Rajonal pa patur lëvizje të lirë të njerëzve. Kështu që ky është testi i parë, le ta provojnë. Brenda 6 muajve të gjithë qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të udhëtojnë me mjetet e identifikimit biometrike. Dhe kjo është e thjeshtë. Nuk është diçka e vështirë për t’u arritur, është teknike, jo çështje politike.”