Lajme

Kryeziu: Zgjedhjet s’janë zgjidhje, Kosova meriton më shumë respekt

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
12:38 / 3 May 2026

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar për zhvillimet politike, duke theksuar se zgjedhjet nuk janë zgjidhje në vetvete, por vetëm një mekanizëm që kërkon konsensus për çështjet kyçe.

Sipas tij, edhe pas proceseve zgjedhore, vendi përballet me të njëjtat sfida, si zgjedhja e Presidentit, që kërkojnë bashkëvendimmarrje dhe përgjegjësi të përbashkët nga të gjithë aktorët politikë.

Kryeziu ka vlerësuar se problemi kryesor mbetet mungesa e seriozitetit kolektiv, duke shtuar se mënyra se si trajtohet Kosova në vendimmarrje dhe diskurs është tregues i kësaj qasjeje.

Në fund, ai ka theksuar se Kosova meriton më shumë respekt nga të gjithë.

Postimi i Kryeziut:

Zgjedhjet nuk janë zgjidhje në vetvete. Ato janë mekanizëm, jo garanci. Edhe pas tyre, për çështjet thelbësore – si zgjedhja e Presidentit – sistemi rikthehet te e njëjta pikë: nevoja për konsensus. Kjo nuk është dobësi; është natyra e një rendi që kërkon bashkëvendimmarrje për momentet kyçe.

Në praktikë, është e vërtetë që ekziston një hierarki sipas fuqisë. Disa aktorë kanë më shumë peshë, më shumë mjete, më shumë ndikim. Por kjo nuk e zhduk faktin themelor: përgjegjësia është e përbashkët. Askush nuk mund të fshihet pas procedurave apo pas raportit të forcave për të shmangur detyrimin ndaj shtetit dhe publikut.

Këtu hyn Kosova. Sepse mënyra si trajtohet ajo – në diskurs, në vendimmarrje, në prioritet – është provë e drejtpërdrejtë e kësaj përgjegjësie të përbashkët. Nuk mjafton të pranosh rëndësinë e saj në parim dhe ta relativizosh në praktikë. Nuk mjafton të flasësh për stabilitet dhe ta ulësh respektin në nivel dytësor.

Problemi është mungesa e seriozitetit kolektiv.

Pikërisht për këtë arsye, Kosova meriton më shumë respekt. Nga të gjithë.