Përgjigjja juaj është hipotetike, por edhe përgjigjja mund të jetë e tillë. Në gjykimin tim sociologjik, të cilin e kam shprehur gjithnjë duke u bazuar në proceset dhe ngjarjet e një “kaosi” të kontrolluar që ka ndodhur ndërkohë në shoqërinë kosovare, kam thënë se gjasat për ndonjë ndryshim radikal të rezultatit nga ato të 28 dhjetorit mund të jenë reale, por me disa kushte të caktuara.Dhe ato kushte kanë të bëjnë kryesisht me krijimin e një narrative, apo një projekti të ri e të përbashkët opozitar, për çka ka shumë pak kohë.
Tani, nëse analizojmë rolin, shpresën, por edhe ambicien e partive opozitare kosovare për pushtet dhe për shtet dhe, nëse të njëjtat i reduktojmë në një tematikë të vetme se përse opozitarizmi nuk funksionoi dhe përse ai ishte aq periferik e aq formal në skenën politike të Kosovës duhet t’i analizojmë si rrethanat specifike në të cilat demokracia jonë u ndërtua, ashtu edhe shkaqet e këtij periferizmi, sa interesant po aq edhe absurd.Çështje këto që mund të shtrohen edhe ndryshe: pra, përse opozita, në periudhën e ngërçit, nuk arriti ta konvertojë pakënaqësinë sociale dhe atë politike në një kapital të duhur simbolik? Paraprakisht më duhet ta sqaroj se problemi nuk ishte vetëm i natyrës organizative, por ishte edhe i frymës strukturore. Kjo nënkupton se opozita nuk arriti ta katapultojë dhe artikulojë sa duhet, të paktën në elektoratin e saj, dallimin midis këtyre dy detyrimeve që kanë të bëjnë me etikën politike dhe normën kushtetuese.
Pra, duke u dëshmuar si e paaftë për këtë rol ndërmjetësues aktiv që ka të bëjë me raportin mes shoqërisë dhe shtetit, dhe duke u ngujuar në pozicione indiferente, në fakt ajo e mundësoi dhe afirmoi kompromitimin e themeleve të “Republikës së parë” (asaj të Kaçanikut) dhe “Republikës së dytë” (asaj ahtisariane), e me këtë e ndihmoi vënien e “gurit themeltar” të “Republikës së tretë” si obsesion jetik i Albin Kurtit.Një tjetër defekt që e pamundëson rritjen enorme opozitare qëndron jo aq te vetëkënaqësia dhe komoditeti i të qenit bashkëpjesëmarrëse në vendimmarrjet parlamentare, ani pse ato ishin të pakta në këto 3–4 vite, por te mungesa e asaj që në sociologjinë e lëvizjeve sociale njihet si “narrativë” apo skemë kuptimore mobilizuese dhe motivuese për votuesit potencialë, që u jep arsye dhe motivim për aktivizëm qytetar, gjë që, p.sh., LVV në vazhdimësi e ka bërë, si kur ishte në opozitë, ashtu edhe tani në mandatin qeveritar.
Pra, thënë më ndryshe, problemi i opozitës kosovare qëndronte në faktin se, kur debatonte kundër qeverisë, ajo fare nuk bënte përpjekje të jepte alternativa të qarta, antipodale dhe mobilizuese. Por, gjithnjë, edhe ato pak kritika e vërejtje që i jepte, në të shumtën e rasteve, nuk ishin substanciale dhe ekzistenciale për elektoratin, por ricikloheshin kryesisht si inerte dhe formale.Dhe nëse pyesim se përse ishte kështu, përgjigjja më adekuate është se të tri subjekteve parlamentare opozitare u mungonte ai rrëfim politik premtues, si drejtësia sociale, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, apo ideja për një shtet funksional.
Po ashtu, opozita aktuale duhet ta kuptojë më në fund se politikëbërja aktive, në një tip demokracie proceduriale çfarë po e ndërtojmë ne, ende funksionon mbi parimet e asaj që njihet si kapital simbolik (karizma e liderit, besimi në atë që premtohet, kredibiliteti dhe autoriteti moral, etj.).Një tjetër problem që mua dioptria sociologjike ma “detekton” ka të bëjë me faktin dhe aktin se, në kulturën tonë emancipuese, shumica e fytyrave opozitare ka kohë që kanë filluar të perceptohen si dështakë, si të konsumuar dhe të paaftë për të ofruar ndryshime të prekshme, sidomos për kontingjentet e reja elektorale që futen në tregun e punës.
Kjo na dëshmon se brezat e rinj politikanët aktualë shumë më tepër i projektojnë si njerëz që, përveç interesave dhe karrierës së tyre personale, asgjë tjetër nuk kanë në mendje. Kësaj bindjeje shtoji këtu edhe hipotekën e fajësisë për qeverisje me përplot skandale dhe marrëveshje të dëmshme, që edhe pas dy dekadash nuk arritën t’i finalizojnë proceset dhe sfidat e sovranitetit, bashkë me ato të negocimit me Serbinë.Suma summarum, një këshillë tjetër jo obliguese për të gjitha partitë parlamentare, por edhe për ndonjë të re që ka vendosur t’ia mësyjë “altarit” të Kuvendit të ri që do të dalë pas 7 qershorit, ka të bëjë me një strategji dhe ofertë të re (që lidhen me politika konkrete, si punësimi, mirëqenia – sepse po na vjen një krizë e thellë – dhe sidomos një premtim për arsimin, pasi jemi duke prodhuar analfabetë funksionalë), shumë më praktike dhe pragmatike për studentët, për diasporën dhe sidomos për shtresën e mesme urbane. Sepse aty kanë shanse ideale për ta rikuperuar veten dhe programin e tyre.
Në thelb, kriza e opozitës kosovare ishte krizë e ndërmjetësimit publik, ngase ajo dështoi ta lidhë interesin e lakmisë për pushtet, që është i përkohshëm, me interesin e patriotizmit për shtet, që është i përjetshëm.Dhe nëse, në zgjedhjet e 7 qershorit, ajo sërish nuk arrin ta artikulojë dhe strukturojë qartë vijën ndarëse mes lakmisë për pushtet dhe përgjegjësisë për shtet, duke e shndërruar këtë dallim në veprim politik, atëherë ajo nuk do të mbetet thjesht në periferi, por rrezikon, sikurse në Shqipëri, të shndërrohet në një zhurmues politik, por pa ndonjë ndikim real.
Sepse zgjedhjet e 7 qershorit duhet kuptuar se nuk do jenë janë zgjedhje “normale”, por zgjedhje të krizës. Andaj, dilema “hamletiane” nuk është; se a do të ndryshojë rezultati, por: a ka ndonjë narrativë të re politike që mund ta përmbysë atë?
Lajme
Opozita si dekor ia hapi rrugën “Republikës së tretë” të Albin Kurtit
11:09 / 4 May 2026